ZGJEDHJET NË MAQEDONINË E VERIUT, PARTITË NË PUSHTET KRYESOJNË NË SHUMICËN E KOMUNAVE

Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) partitë në pushtet, respektivisht VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni VLEN, kryesojnë në shumicën e komunave ndaj partive opozitare, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI). 

Sipas të dhënave të KSHZ-së nga 99,94 për qind të votave të numëruara në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE-ja kryeson me fitore në 54 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, Koalicioni VLEN në nëntë komuna, LSDM në tetë komuna, AKI në pesë komuna, Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë, Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve me nga një komunë secila, si dhe dy kandidatët e pavarur, Mendi Qyra në Strugë dhe Azem Sadiki në Studeniçan.

Të dhënat e KSHZ-së tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.

Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë.

Ndryshe, në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet e djeshme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku sipas rregullave të zgjedhjeve lokale të vendit, nëse asnjë kandidat për kryetar komune nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, atëherë dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në raundin e dytë.

SHARE