SHOQËRIA CIVILE NË KOSOVË I KËRKON BE-së HEQJEN E MASAVE NDËSHKUESE

Një numër organizatash të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje të hënën Bashkimit Evropian (BE) t’ia heqë Kosovës masat e mbetura ndëshkuese nga viti 2023, duke thënë se rrethanat, që fillimisht nxitën vendosjen e masave, tashmë “nuk ekzistojnë më”.

Në një letër drejtuar bllokut evropian, 12 organizata nënshkruese thanë se “jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”.

“Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letër.

Organizatat kosovare të shoqërisë civile thanë në letrën e tyre se “besojnë fuqishëm” se heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave “në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme”.

Ato e përmendën pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të këtij muaji në veriun e banuar me shumicë serbe si hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit.

“Besojmë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më. Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon”, thuhet tutje në letrën e organizatave kosovare të shoqërisë civile.

Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.

Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t’ia heqë masat vendit të tyre, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë ditë më parë.

SHARE