KOSOVË, 330 RASTE TË KANCERIT TË GJIRIT GJATË VITIT 2025

Nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe në bashkëpunim me organizatën “Jeta/Vita” është mbajtur manifestimi tradicional informativ-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, në kuadër të muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani theksoi se ky muaj i njohur edhe si “tetori rozë” është mbi të gjitha një kujtesë për guximin dhe jetën, duke inkurajuar gratë që të mos kenë frikë nga kontrollet e rregullta.

“Inkurajoj secilën grua që të mos ketë frikë nga kontrolli. Sepse, nuk është frika ajo që shpëton jetën por kontrolli mund të shpëtojë jetën kur ai ndodh herët. E di që kjo rrugë nuk është e lehtë, kjo sëmundje kërkon guxim, kërkon përballje, kërkon përkrahje nga të gjithë që i kemi përreth dhe kërkon shumë dashuri. Por, dua të them sot me bindje të plotë, kanceri i gjirit nuk është fundi”, tha Osmani.

Përfaqësuesja e Klinikës së Onkologjisë, Dafina Ademi tha se Kosova dikur ka qenë në “terr informativ” sa i përket kësaj sëmundjeje, por tashmë është shënuar përmirësim i dukshëm falë ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve të shumta.

“Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që prek gratë në Kosovë. Deri në ditën që flasim, këtë vit, në klinikën tonë janë regjistruar gjithsej 330 vajza/gra dhe tre burra të prekur me kancer të gjirit. Mbijetesa e përgjithshme më e mirë për këtë sëmundje arrihet atëherë kur kemi një menaxhim gjithëpërfshirës të saj”, theksoi Ademi.

“Nga vetëdijesimi e diagnostikimi i hershëm, deri te kirurgjia dhe trajtimi. Tani Kosova frymon ndryshe, me më shumë vetëdije dhe aparatura diagnostike moderne”, tha ajo.

Në kuadër të manifestimit u mbajt edhe një marsh nëpër sheshet e kryeqytetit, ku morën pjesë dhjetëra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe organizata që mbështesin luftën kundër kancerit të gjirit.

SHARE