BE-ja MBËSHTET REFORMËN ZGJEDHORE DHE DIGJITALE NË SHQIPËRI

Bashkimi Evropian rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në një moment vendimtar reformash, duke theksuar rëndësinë e digjitalizimit të proceseve zgjedhore me transparencë dhe siguri.

Kjo deklaratë u bë gjatë Konferencës Rajonale “Digjitalizimi në Proceset Zgjedhore”, të organizuar në Tiranë nga International IDEA dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, vuri në dukje rolin transformues të teknologjisë në demokraci, por paralajmëroi edhe për rreziqet që ajo sjell, përfshirë dezinformimin, manipulimin nga inteligjenca artificiale, sigurinë kibernetike dhe keqpërdorimin e të dhënave.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka ndërtuar një nga kornizat ligjore më të avancuara për mbrojtjen e demokracisë në epokën digjitale, duke përmendur:

  • Aktin e Shërbimeve Digjitale
  • Aktin Evropian të Lirisë së Medias
  • Aktin për Inteligjencën Artificiale
  • Rregulloren për Transparencën e Reklamimit Politik

Këto instrumente, sipas tij, synojnë jo vetëm rregullimin e tregjeve, por edhe mbrojtjen e qytetarëve dhe forcimin e besimit në institucionet demokratike.

Ambasadori Gonzato e cilësoi reformën zgjedhore si pjesë të angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke e lidhur me kapitullin e parë të negociatave – “Themeloret”.

Ai përshëndeti ngritjen e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe kërkoi një proces gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, BE shprehu mbështetje të plotë për nismat e KQZ-së për rritjen e transparencës dhe efikasitetit përmes mbikëqyrjes digjitale. Në kuadër të projektit të përbashkët BE–Këshilli i Evropës “Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri”, do të vijojë ndihma për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së, përfshirjen e shoqërisë civile dhe përafrimin me standardet evropiane.

SHARE