Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vizitën që zhvilloi në Kiev njoftoi se BE-ja do t’i jepte Ukrainës një kredi me vlerë deri në 35 miliardë Euro.
“Sulmet e pamëshirshme të Rusisë nënkuptojnë se nevojitet mbështetje e mëtejshme. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam e lumtur të njoftoj se sot Komisioni ka miratuar propozime që do t’i mundësojnë Bashkimit Evropian të japë 35 miliardë euro. Ky është një hap i madh përpara. Tani kemi besim se mund t’ia dorëzojmë këtë kredi Ukrainës shumë shpejt.”
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski nënvizoi rëndësinë e kësaj ndihme.
Huaja për Ukrainën është pjesë e një plani më të gjerë midis vendeve të G7 për të mbledhur fonde duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse.
Për ndihmën reagoi edhe Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e cila tha se BE-ja ka humbur autonominë e saj dhe po i nënshtrohet qëllimeve të Uashingtonit. Asetet arrijnë në rreth 300 miliardë Dollarë, ku shumica e tyre mbahen në Evropë.