HIDROCENTRALI ËSHTË NJË POTENCIAL I MADH PËR ZHVILLIMIN E MALIT TË ZI

Memorandumi i mirëkuptimit, i cili u nënshkrua sot nga përfaqësuesit e Elektroekonomisë së Malit të Zi (EEMZ) dhe kompania franceze Electricité de France (EDF), duhet të vendosë kornizën për një dialog afatgjatë në fushën e tranzicionit të energjisë dhe teknologjisë me karbon të ulët.

Qëllimi i memorandumit është të përcaktojë dhe të krijojë një kornizë për një dialog afatgjatë në fushën e tranzicionit të energjisë dhe në fushat me interes të ndërsjellë në të cilat EDF-ja mund të marrë pjesë si partner strategjik dhe të kontribuojë si projektues, investitor industrial dhe operator në fushën e hidroenergjisë dhe, eventualisht, në fusha të tjera të dakorduara reciprokisht.

EEMZ dhe EDF synojnë të bashkëpunojnë për zhvillimin e hidrocentraleve të reja për të garantuar sigurinë energjetike të Malit të Zi, duke zbatuar standardet më të mira ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe çështjeve sociale, teknologjive dhe praktikave.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të EEMZ, Millutin Gjukanoviq, tha se hidroenergjia është një nga potencialet e mëdha për zhvillimin e Malit të Zi dhe energjia është një aktivitet që sigurisht mund të jetë lokomotiva e zhvillimit të vendit.

“Ky nënshkrim sot do të thotë se edhe kompanitë e njohura perëndimore i shohin pozitivisht idetë e EEMZ dhe Ministrisë së Energjisë dhe mendoj se edhe ata e ndjejnë angazhimin tonë. Mund të premtoj se realisht do të angazhohemi për realizimin e këtyre projekteve që po diskutojmë sot”, tha Gjukanoviq në ceremoninë e nënshkrimit në Villa Goricë.

Nënkryetari i EDF-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Marc Girard, tha se në qershor, gjatë vizitës së kryeministrit Millojko Spajiq në Francë, ata diskutuan se si EDF-ja mund të kontribuojë në zhvillimin e energjisë në Mal të Zi.

Ministri i Energjisë, Sasha Mujoviq, ka bërë të ditur se ka shumë sfida, kundërshtarë edhe më shumë, dhe akuza të pabaza më së shumti. Mirëpo, siç tha ai, nuk ka kënaqësi më të madhe se kur akuzave të kota dhe retorikës boshe përgjigjet me rezultate konkrete, të cilat kanë një potencial të fortë për të ndikuar pozitivisht në brezat që do të vijnë.

Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se është shumë i kënaqur që ka ardhur deri në pikën që të flitet konkretisht për projektet që do të realizohen, si dhe për potencialin e Malit të Zi.

SHARE