BE-ja PËRSËRIT MBËSHTETJEN PËR PERSPEKTIVËN E ANËTARËSIMIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Bashkimi Evropian (BE) ka përsëritur angazhimin e tij për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit dhe ka bërë thirrje për pajtueshmëri me të gjitha politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate me shkrim nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, Borrell është takuar në New York me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në takim morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtari kroat i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq, dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Përfaqësuesi i lartë nënvizoi mbështetjen e tij ndaj liderëve në luftën me probleme të tilla si “agresioni rus, siguria energjetike dhe ushqimore dhe ndryshimet klimatike”, si dhe i informoi se pret që ata të jenë plotësisht në pajtueshmëri me politikat e jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së.

Në deklaratë, lidhur me takimin u theksua:

“Takimi në të njëjtën kohë ishte një mundësi për të diskutuar pritshmëritë për anëtarësim në BE në një kohë kur politika e zgjerimit të BE-së ka marrë një vrull të ri. Përfaqësuesi i lartë përsëriti mbështetjen e fuqishme që vazhdon në aspektin politik, teknik dhe financiar të BE-së për të gjithë kandidatët dhe kandidatët potencialë me qëllimin për t’i ndihmuar ata të çojnë përpara reformat e rëndësishme politike, institucionale, sociale dhe ekonomike të cilat janë të nevojshme për përparimin në rrugën e BE-së”.

SHARE