UKRAINA DOMINON NË OKB / NË KRYE TË AGJENDËS SË ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nis të martën punimet teksa bota përballet me kriza të shumta, duke nisur nga lufta në Ukrainë. Pas dy vjetëve të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe adresimeve përmes videove, OKB-ja u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin pjesë fizikisht në organizim. Përjashtim bën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Vdekja e Mbretëreshës Elizabeta II e ka ndryshuar agjendën e samitit. Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën. Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian. Për kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, kryefjala e diskutimeve do të jetë Ukrainë. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje liderëve që të mos harrojnë prioritetet tjera si edukimi. “Edukimi është në krizë të thellë. Në vend që të rrisë mundësitë, edukimi është duke u bërë shpejt arsye për ndasi të mëdha”, ka thënë Guterres. Ai ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndikim shkatërrues në procesit e të mësuarit, pasi nxënësit e varfër nuk kanë pasur akses në teknologji të avancuar. Në një raport të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ka thënë se pandemia e koronavirusit ka kthyer mbrapa përparimin njerëzor për pesë vjet.

SHARE