Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve mbeten kërcënim i madh shëndetësor në Gjermani, duke kontribuar në dhjetëra e mijëra vdekje çdo vit. Kështu u tha në një studim të kryer nga Instituti Robert Koch, Universiteti i Uashingtonit dhe institucione të tjera kërkimore.
Analiza e publikuar në revistat shkencore zbuloi se afër 45.700 persona në Gjermani kishin vdekur në lidhje me patogjenët rezistentë ndaj antibiotikëve në 2019-ën.
Në disa raste, rezistenca nuk ishte shkaku i menjëhershëm i vdekjeve, por infeksionet e gjakut, të rrugëve të frymëmarrjes dhe infeksionet abdominale ishin veçanërisht të zakonshme si pasojë fatale.
Studimi vlerësoi se afro 9.600 nga këto vdekje mund t’iu atribuoheshin drejtpërdrejt rezistencës, që nënkupton se pacientët mund të kishin mbijetuar nëse bakteret nuk do të kishin qenë rezistente.
Gjermania ka regjistruar 939.500 vdekje më 2019, sipas statistikave zyrtare.
Instituti Robert Koch, që është instituti kryesor epidemiologjik i Gjermanisë, tha se rezistenca ndaj antibiotikëve është “një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale të kohës sonë”, që nxitet nga përdorimi i gjerë dhe keqpërdorimi i antibiotikëve.
Përdorimi i tepruar, trajtimet e gjata apo përshkrimet jo të duhura të mjekëve krijojnë një presion që mundëson që rezistenca ndaj antibiotikëve të përhapet.
Instituti bëri thirrje për parandalim më të fuqishëm dhe më shumë masa që synojnë kontrollin, duke theksuar se përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve është kyç për frenimin e rezistencës.