Inxhinierët italianë kryen fazën e parë të testimeve të kampit të pritjes së emigrantëve në Gjadër.
Testimi lidhej me pajisjet e vendosura, rrjetin elektrik, rrjetin e sigurisë dhe atë të ujësjellës-kanalizimeve.
Burime të Top News pohojnë se faza e parë e testimeve kaloi me sukses, por se është e nevojshme që të kryhen edhe testime të tjera para dhënies së dritës jeshile për hapjen e këtij kampi.
Aktualisht puna për ndërtimin e tij është drejt përfundimit, ku kanë mbetur vetëm detajet teknike që lidhen me sigurinë, si kamerat e vëzhgimit dhe elementët shtesë të rrethimit me kangjela.
Afati i vendosur nga Kryeministrja italiane, Giogria Meloni për përmbylljen totale të punës është data 1 shtator. Megjithatë, do të jenë inxhinierët e kampit ata që do të vendosin datën e saktë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, kampi do të strehojë jo më shumë se 3 mijë emigrant njëkohësisht.
Ata do të presin në Shqipëri derisa kërkesat e tyre për azil të procedohen nga autoritetet italiane.
Në rast refuzimi, do të ekstradohen në vendet e origjinës me shpenzimet e mbuluara nga pala italiane.