Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun, pasi takimi mes palëve në Bruksel më 18 gusht përfundoi pa rezultat, raporton Zëri i Amerikës. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën. “Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha Price. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Uashingtoni e përkrah në tërësi dialogun dhe tha se është me rëndësi që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit se ato duhet të “çojnë përpara diskutimin për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellë”. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk pranoi të përgjigjej nëse Shtëpia e Bardhë i ka dorëzuar një mesazh të enjten Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, por ai tha se “ne jemi të kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani”. “Ne do të mbesim të përfshirë drejtpërdrejtë me të dyja palët, me homologët tanë në Kosovë dhe Serbi si dhe përmes vëzhgimit të bisedimeve që po ndërmjetësohen nga BE-ja”.