Ryanair do të pezullojë më 29 tetor fluturimet ndërmjet Zagrebit dhe Podgoricës, si dhe dy linja të tjera nga kryeqyteti ynë, për shkak të rritjes së taksave të aeroportit, thuhet në faqen zyrtare të linjës ajrore.
Siç kanë thënë, nga 29 tetori do të anulohen shërbimet nga Podgorica drejt Zagrebit, Barcelonës dhe Mançesterit.
“Për shkak të vendimit të Aeroportit të Podgoricës për të rritur taksat, ne jemi të detyruar të pezullojmë fluturimet nga Podgorica për në Barcelonë, Mançester dhe Zagreb këtë dimër. Rritja e tarifës e bën Aeroportin e Podgoricës krejtësisht jo konkurrues në krahasim me aeroportet e tjera evropiane që ulin tarifat e tyre për të stimuluar rimëkëmbjen dhe rritjen e trafikut. Kjo do të ketë një efekt të dëmshëm në lidhjen, turizmin dhe ekonominë e Malit të Zi”, njofton kjo linjë ajrore.
Vitin e kaluar, Ryanair ishte transportuesi më i ngarkuar me 249,959 pasagjerë në fluturimet për dhe nga Podgorica.