PRESIDENTI GJUKANOVIQ U TAKUA ME KRYEMINISTRIN KRIVOKAPIQ

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dha pëlqimin e tij për propozimin e Kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, mbi kandidatin për ambasador në Misionin e Malit të Zi në BE, me seli në Bruksel, u njoftua nga zyra e Presidentit. Gjatë takimit të sotëm, Gjukanoviq dhe Krivokapiq ranë dakord mbi nevojën për të intensifikuar përpjekjet e të gjitha organeve shtetërore dhe subjekteve të shoqërisë, përshpejtimin e reformave dhe arritjen e standardeve, në mënyrë që të krijojnë parakushte për integrimin më të shpejtë të Malit të Zi në BE. Po ashtu, ata biseduan edhe për rëndësinë e rrugës evropiane të Malit të Zi dhe domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit të negociatave. “Për këtë qëllim, Presidenti dha pëlqimin e tij për propozimin e Kryeministrit mbi kandidatin për ambasador në Misionin e Malit të Zi në BE, me qendër në Bruksel,” thuhet në deklaratë. Të rikujtojmë se nga 18 ambasadorë të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Gjukanoviq dha një mendim negativ për 11 prej tyre, ndërsa shtatë kandidatë morën pëlqimin e kreut të shtetit për t’u emëruar.

SHARE