SPIROPALI: SHQIPËRIA E ANGAZHUAR FUQISHËM PËR SIGURINË KOLEKTIVE DHE NDARJEN E BARRËS NË ALEANCË

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj gjatë Samitit Parlamentar të NATO-s në Bruksel, theksoi rolin jetik të Aleancës në ruajtjen e sigurisë transatlantike, sidomos në një kohë të mbushur me tensione dhe pasiguri gjeopolitike.

“Nën hijen e trazirave ndërkombëtare, NATO mbetet themeli i sigurisë sonë të përbashkët dhe garancia më e fortë e paqes në hapësirën euroatlantike”, u shpreh Spiropali.

Ajo i bëri thirrje Iranit që të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare dhe të ndalë menjëherë aktivitetet bërthamore dhe ato që lidhen me raketat balistike.

“I bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet e tij bërthamore dhe ato të raketave balistike, duke vepruar në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe nga ligji ndërkombëtar”, theksoi Spiropali.

Në vijim, ajo prezantoi angazhimet konkrete të Shqipërisë në përputhje me objektivat e NATO-s, duke theksuar rritjen e ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes.

“Qeveria shqiptare ka arritur tashmë objektivin e NATO-s për shpenzimet në mbrojtje, duke e çuar buxhetin në nivelin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbështesim gjithashtu Zotimin e ri për Investime në Mbrojtje: 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për fusha të tjera të lidhura me sigurinë – një instrument kyç për të forcuar besueshmërinë e Aleancës dhe mbrojtjen tonë kolektive në të ardhmen”, u shpreh Spiropali.

Në fund të fjalës së saj, ajo vuri në dukje përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar qëndrueshmërinë institucionale dhe për të ndërtuar një arkitekturë më të fortë të sigurisë kibernetike, si dhe për të luftuar dezinformimin dhe narrativat përçarëse që cenojnë kohezionin shoqëror dhe politik.

SHARE