SERBIA I PRANON PARATË E PARA NGA PLANI I RRITJES I BE-së

Komisioni Evropian ia ka ndarë Serbisë 51.7 milionë euro si kredi e butë, si pjesë e fazës së para-financimit të parashikuar nga Plani i Rritjessë BE-së për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Zyra e BE-së në Serbi.

Ajo shtoi se 59 milionë euro shtesë në para-financim, në formën e granteve dhe kredive, do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, për të përmirësuar infrastrukturën në të gjithë vendin.

Ky para-financim përfaqëson 7 për qind të mbështetjes së përgjithshme financiare të premtuar për Serbinë sipas Planit të Rritjes së BE-së.

Vendimi për pagesën e para-financimit vjen pasi Kuvendi i Serbisë e ratifikon marrëveshjen e instrumentit dhe marrëveshjen e kredisë në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes.

Zyra e BE-së theksoi se Serbisë do t’i ndahen të hollat e tjera nga Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor pasi t’i ketë përmbushur hapat e reformave për të cilat janë marrë vesh Komisioni Evropian dhe Qeverisë e Serbisë përmes Agjendës së Reformës dhe me kusht që të përmbushen parakushtet dhe kushtet e përgjithshme përkatëse.

“Komisioni Evropian po vlerëson zbatimin e grupit të parë të hapave të reformës që lidhen me liritë themelore dhe sundimin e ligjit, mjedisin e biznesit dhe zhvillimin e sektorit privat, si dhe tranzicionet e gjelbra dhe digjitale”, thuhet në njoftim.

Paketa e përgjithshme e Planit të Rritjes për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.

Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

SHARE