Foto: Shutterstock
Komiteti i ekspertëve të Këshillit të Evropës ka vlerësuar disa hapa pozitivë që Mali i Zi ka ndërmarrë për mbrojtjen e gjuhëve të pakicave, por ka shprehur shqetësim serioz për mungesën e përparimit në lidhje me gjuhën rome.
Në raportin e publikuar në Strasburg, theksohet se megjithëse janë marrë disa iniciativa, si hartimi i një fjalori gjuhë rome-gjuhë malazeze dhe përfshirja e qëllimeve për gjuhët e pakicave në Strategjinë për Politikën e Pakicave (2024–2028), gjuha rome vazhdon të jetë jashtë sistemit arsimor dhe nuk përdoret në mënyrë institucionale.
Tre problemet kryesore që theksohen janë:
- Mungesa e mësimit të gjuhës rome në shkolla, nga niveli parashkollor e më tej.
- Mungesa e mësuesve të kualifikuar, për çka propozohet krijimi i një programi master në bashkëpunim me Universitetin e Malit të Zi.
- Mospërdorimi zyrtar i gjuhës rome, për shkak të mosarritjes së pragut ligjor prej 5% të folësve në asnjë komunë.
Megjithatë, një përparim simbolik është shënuar me emërimin e përkthyesit të parë gjyqësor për gjuhën rome në vitin 2024.
Komiteti kërkon hapa konkretë për integrimin e gjuhës rome në arsim dhe administratë, si dhe dialog më të ngushtë me komunitetin rom. Mali i Zi duhet të raportojë për progresin deri në qershor 2027.