MILLATOVIQ: PAS IBAR-it NEVOJITET ANGAZHIM SHTESË

Marrja e IBAR-it është rezultat i përbashkët i përpjekjeve të të gjithë shoqërisë, do të hapë fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim të plotë në BE për Malin e Zi, e cila do të konfirmojë se politika e zgjerimit mbetet në fokusin e politikës evropiane, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Millatoviq ka marrë pjesë në një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me rastin e përfundimit të presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Ai falënderoi presidencën belge të Këshillit të BE-së dhe partnerët tanë nga BE-ja për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, të cilët kontribuan ndjeshëm në mbajtjen e Konferencës së ardhshme Ndërqeveritare.

Millatoviq theksoi se pas marrjes së IBAR-it është e nevojshme përfshirja shtesë e vendimmarrësve, duke pasur parasysh se në periudhën e ardhshme do të përballemi me sfida të mëdha, në mënyrë që sa më shpejt t’i përmbushim të gjitha obligimet nga procesi i negociatave.

Në këtë kuptim, siç tha ai, hyrja e Malit të Zi në BE në vitin 2028 do të shërbente si shembull pozitiv për vendet kandidate si një nxitje dhe dëshmi se procesi i zgjerimit të BE-së është ende gjallë.

Ai theksoi se thelbi i vetë procesit dhe zbatimi i reformave duhet të rezultojë përfundimisht në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe jo vetëm në përmbushjen formale të detyrave.

Presidenti tha se pret që edhe pas zgjedhjeve evropiane, BE-ja të punojë me përkushtim në integrimin e vendeve kandidate, në mënyrë që të mbetet një aktor global efektiv për promovimin e vlerave të saj.

SHARE