ISHP: REGJISTROHET RASTI I SHTATË I FRUTHIT NË MAL TË ZI

Rasti i shtatë i fruthit (lisë së vogël) është regjistruar në Mal të Zi, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi.

Rasti i fundit, siç thanë ata, është regjistruar në Plevla te një person 46-vjeçar, i cili sipas të dhënave të marra nga hetimi epidemiologjik është ekspozuar ndaj virusit të fruthit gjatë qëndrimit të tij në Bosnje-Hercegovinë, në të cilën është në vijim një epidemi e madhe.

ISHP tha se nga data 28 mars deri më 19 qershor 2024, shtatë raste të fruthit janë regjistruar në Mal të Zi. 

Ata u bënë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët pa vonesë.

“Të gjithë fëmijët që kanë mbushur moshën një vjeç dhe nuk kanë kundërindikacione mjekësore të deklaruara me shkrim nga mjeku duhet të marrin dozën e parë të vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), dhe fëmijët që përgatiten për të hyrë në shkollë duhet të jenë të vaksinuar me dy doza”, thuhet në njoftim.

SHARE