BE-ja MIRATON SANKSIONET E REJA NDAJ RUSISË

Foto: AA

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) miratuan paketën e 17-të të sanksioneve që shënjestrojnë rreth 200 anije cisternash në “flotën hije”, me të cilën Rusia transporton naftë, transmeton Anadolu.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas ndau në llogarinë e saj në rrjetet sociale vendimet e marra gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së në Bruksel.

“BE-ja miratoi paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë. Paketa shënjestron afërsisht 200 anije në ‘flotën hije’ të Rusisë”, tha Kallas.

Duke theksuar se janë marrë masa të reja kundër kërcënimeve hibride, Kallas shtoi se “po punohet për sanksione të reja kundër Rusisë”. Ajo potencoi se nëse Rusia vazhdon luftën për një periudhë më të gjatë kohore, BE-ja do të përgjigjet më ashpër.

Sipas sanksioneve të reja, detajet e plota të të cilave nuk janë ndarë, rreth 200 anije cisternë të përdorura nga Rusia për të anashkaluar kufizimet në eksportet e naftës do të futen në listën e zezë.

Gjithashtu pritet që disa kompani të vendeve të treta dhe shumë individë e institucione që dyshohet se furnizojnë mallra për sektorin rus të mbrojtjes do të shtohen në listën e sanksioneve të BE-së.

Për shkak të luftës, BE-ja kishte zbatuar paketën e 16 sanksioneve kundër Rusisë.

Në këtë kontekst, Rusia i nënshtrohet një game të gjerë kufizimesh, përfshirë tregtinë, financat, naftën dhe qymyrin si dhe energjinë, industrinë, teknologjinë, transportin, mallrat me përdorim të dyfishtë, mallrat luksoze si dhe arin dhe diamantet.

Sanksionet përfshijnë gjithashtu ndalimin e transportit me rrugë detare të naftës bruto dhe disa produkteve të naftës nga Rusia në BE, përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT dhe pezullimin e aktiviteteve të shumë institucioneve transmetuese.

Në listën e sanksioneve të BE-së janë më shumë se 2.000 individë dhe institucione.

SHARE