Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka bërë betimin sot para deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi dhe ka marrë detyrën e Presidentit të Shtetit.
“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit,” tha Millatoviq.
Pas betimit, Millatoviq tha se është i nderuar që është president i Malit të Zi, vendi ku ka lindur dhe të cilin e do pa masë.
“Unë do të jem president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare”, tha ai.
Gjuroviq hapi seancën e Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, hapi seancën, pas së cilës u këndua himni kombëtar i Malit të Zi.
“Në Mal të Zi betimi është diçka më e lartë se të gjitha fjalët e tjera dhe për këtë pres që në progresin demokratik të Malit të Zi, fjala e thënë publikisht dhe obligimi i çdo zyrtari të ketë peshë, seriozitet dhe përgjegjësi”, tha Gjuroviq.
Në mesin e të ftuarve janë liderët e vendeve të rajonit, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.
Në inaugurim marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit.
Asambleja përfshin të dërguarit specialë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.
Millatoviq zëvendëson Milo Gjukanoviqin në postin e presidentit, i cili ishte në atë pozitë që nga viti 2018.
Millatoviq fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, të mbajtur më 11 prill, në të cilat ai fitoi gati 60 për qind të votave.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të miratuar më 22 tetor 2007, presidenti i vendit zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta për pesë vjet.
Millatoviq është presidenti i katërt i Malit të Zi që nga futja e sistemit shumëpartiak.
Deri më tani këtë funksion e kanë kryer Momir Bulltoviq, Filip Vujanoviq dhe Millo Gjukanoviq.