DISA PROTESTUES NË BEOGRAD E KALUAN NATËN NË BLLOKADË TË AUTOSTRADËS

Një pjesë e pjesëmarrësve të protestës së tretë “Serbia kundër dhunës” e kanë kaluar natën duke bllokuar një pjesë të autostradës ndërkombëtare në Beograd, në blloqet e pjesës së re të qytetit, afër pompës së karburanteve “NIS”, transmeton agjencia Beta.

Bashkë me disa tenda në autostradë ka pasur edhe thasë për gjumë dhe karrige kopshti, ndërsa pjesëmarrësit e protestës i kanë thënë gazetarit të agjencisë Beta mbrëmë se aty do të qëndrojnë deri sa të ketë një njoftim tjetër.

Televizioni N1, më 20 maj, raportoi se demonstruesit u shpërndanë në mëngjes. Fotoreporterja e i Radios Evropa e Lirë [REL] raportoi se rreth orës 9 të mëngjesit nuk kishte më demonstrues në autostradë.

Në bllokimin e rrugës, ku sipas vlerësimeve kanë mbetur rreth një mijë persona, në orët e vona të mbrëmjes, ka qenë të pranishëm edhe një pjesë e përfaqësuesve të opozitës.

Me ftesë të opozitës, më 19 maj, dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit me sloganin “Serbia kundër dhunës”.

Shkak i protestës “Serbia kundër dhunës” është pakënaqësia me reagimin e autoriteteve pas dy vrasjeve masive në fillim të majit, ku mbetën të vrarë 18 persona.

Gjatë protestës u bllokuan Gazela, që është ura më e ngarkuar në autostradë në Beograd, si dhe Ura e Brankos, që lidh Beogradin e Ri me qendrën e qytetit.

Një ditë para protestës, në Parlamentin e Serbisë filloi diskutimi për situatën e sigurisë në vend dhe rrethanat që çuan në dy krimet, që ishte një nga kërkesat e protestës.

Ndër kërkesat tjera është edhe dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq dhe drejtorit të Agjencisë për Informim të Sigurisë [BIA], Alleksandar Vullin.

Është kërkuar, gjithashtu, shkarkimi i Organit rregullator të mediave elektronike, mbyllja e tabloideve që propagandojnë dhunën dhe shkelin kodin gazetaresk, si dhe konfiskimi i frekuencave kombëtare nga televizionet Pink dhe Happy.

Ata kërkuan gjithashtu anulimin e programeve që promovojnë dhunën, si reality-shfaqjet.

Në të njëjtën kohë kur filloi protesta “Serbia kundër dhunës”, presidenti serb Alleksandar Vuçiq foli në një tubim të Partisë së tij Progresive Serbe [SNS] në Pançevë, afër Beogradit.

Në këtë tubim, Vuçiq tha se kishte marrë informacion nga shërbimet nga Lindja se protestat në Serbi ishin përpjekje për revolucione me ngjyra. Ai foli se për cilat shërbime bëhet fjalë.

SHARE