THE ECONOMIST: RREZIK NGA KATASTROFA USHQIMORE

Globi rrezikohet nga një krizë ushqimore për shkak të krizës në Ukrainë, siç paralajmërohet në një analizë të revistës prestigjioze The Economist. Rritja e çmimit të ushqimeve për shkak të reduktimit të prodhimit në një prej vendeve kryesore eksportuese të ushqimeve si Ukraina ka shtuar me ritme të shpejta numrin e njerëzve që nuk përballojnë dot të blejnë mjaftueshëm ushqime. 1.6 miliardë njerëz nuk përballojnë dot blerjen e ushqimeve të mjaftueshme për shkak të rritjes së çmimeve, katërfishi i atyre që hynin në këtë kategori para destabilizimit të tregjeve që shkaktoi lufta. Të paktën 300 milionë njerëz mund të vuajnë nga uria përgjatë viteve të ardhshme, siç paralajmëroi drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Dejvid Bislli në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit të Sigurimit, të thirrur nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken. Ai bëri thirrje për masa urgjente për të stabilizuar tregun e ushqimeve që rrezikon të shkaktojë një katastrofë ushqimore globale. Ukraina është një prej prodhuesve dhe eksportuesve më të mëdhenj të ushqimit në botë. Sulmi rus ka shkaktuar vështirësi të mëdha në eksportin e ushqimeve, pasi ka bllokuar portet e Detit të Zi, nyjet kryesore të transportit.

SHARE