FMN: LUFTA RUSI-UKRAINË NGADALËSON RIMËKËMBJEN EKONOMIKE GLOBALE

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale të martën në 3.6% për këtë vit, duke thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë kërcënon një rimëkëmbje të brishtë të shkaktuar nga pandemia. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kundër Moskës kanë ndërprerë tregtinë globale, kanë rritur çmimet e naftës, kanë kërcënuar furnizimet me ushqime dhe kanë rritur pasigurinë, teksa bota përpiqet të rikuperohet nga pandemia. Të gjitha këto bënë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ulë parashikimin e tij për ekonominë globale. FMN-ja uli parashikimin e saj të rritjes globale nga 4.4 përqind në 3.6 përqind; ndërsa Banka Botërore, nga 4.1 për qind në 3.2 për qind. Rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave kanë çuar në më pak prodhim dhe më shumë inflacion. Shtëpia e Bardhë fajëson Moskën. “E kemi thënë këtë që në fillim se lufta në Ukrainë nga Presidenti Putin dhe Rusia do të ketë një ndikim të vazhdueshëm në ekonominë globale, qoftë në tregjet e naftës, apo aspekte të tjera, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Kësaj situate i shtohet një ngadalësim i ekonomisë kineze shkaktuar nga bllokimet e shpeshta nga varianti omikron i koronavirusit.

SHARE