Departamenti amerikan i Drejtësisë ka sekuestruar disa faqe interneti që sipas tij përdoren nga Irani për sulme kibernetike dhe si pjesë e “operacioneve psikologjike” për përhapjen e propagandës terroriste.
CNN raporton se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) përdorte katër nga këto faqe për të publikuar të dhëna të vjedhura gjatë sulmeve kibernetike dhe për të bërë thirrje për vrasjen e gazetarëve, kundërshtarëve dhe shtetasve izraelitë.
Një prej domeneve të bllokuara ishte “Homeland Justice”, e cila kishte sulmuar edhe institucione shtetërore në Shqipëri.
Sulmet kundër vendit tonë besohet se lidhen me pranimin e grupit opozitar iranian, Mujahedeen e-Khalq, i strehuar në Shqipëri dhe që ka bërë thirrje për rrëzimin e regjimit në Teheran.
Departamenti i Drejtësisë thekson se më 15 korrik dhe 9 shtator 2022, MOIS përdori domenin JusticeHomeland.org për të marrë përgjegjësinë për vjedhjen e dokumenteve të ndjeshme nga organizatat qeveritare shqiptare.
Pak ditë më parë, Administrata e Kuvendit u përball me një sulm kibernetik që bllokoi qasjen e deputetëve dhe stafit në kompjuterë dhe email, të dhënat e të cilëve u publikuan në Telegram nga grupi Homeland Justice, duke kërcënuar deputetët.
FBI-ja njoftoi se hetimet vazhdojnë dhe të gjithë personat e përfshirë do të identifikohen dhe përballen me drejtësinë.
Gjithashtu, Departamenti amerikan i Shtetit shpalli një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion që ndihmon në identifikimin e personave që kryejnë sulme ndaj infrastrukturës kritike amerikane.









