Parlamenti Evropian ka publikuar raportin e misionit te Komitetit të Jashtëm që vizitoi Shqipërinë dhe Malin e Zi në shkurtin e këtij viti.
Në këtë raport theksohet se fokusi i takimeve ka qenë raporti i vlerësimit për piketat e ndërmjetme si hapi i radhës në procesin e negociatave që krijon mundësi që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve.
“Anëtarët nënvizuan nevojën për të vazhduar punën për “themeloret”, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe miratimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ata inkurajuan stabilitetin politik dhe dialogun”, thuhet në raportin e Komitetit të Jashtëm të PE.
Raporti veçon se gjatë takimeve në Shqipëri u diskutua edhe rreth hetimeve te korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.
“Gjatë diskutimeve, iu kushtua vëmendje polarizimit politik , si dhe hetimeve për korrupsionin në nivelin e lartë dhe rrezikun e ndërhyrjes politike në procedurat gjyqësore”, thuhet në raport.
Në këtë dokument Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Evropian thekson se inkurajon Shqipërinë të intesifikojë punën për mbylljen e kapitujve për negociatat e anëtarësimit në BE.
Të dhënat e nxjerra nga ky mision, do të përdoren për raportin vjetor që vlerëson progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Misioni i Komitetit të Jashtëm i kryesuar nga David Mcallister erdhi në Shqipëri në periudhën kur në Parlament ndodhej kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut e cila në atë moment ishte numri 2 i qeverisë.
Gjatë një konference me gazetarët, kryetari i Komitetit të Jashtëm David Mcallister deklaroi se “nuk mund të komentojë në hollësi raste individuale, por çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”.









