Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e sotme telefonike ka miratuar masa maksimale për kufizimin e çmimeve të karburanteve dhe ka shkurtuar periudhën e përllogaritjes nga 15 në 7 ditë, transmeton TVMZ.
Masa u përcaktua pas komunikimeve intensive dhe analizave të detajuara me sektorët përkatës të energjetikës dhe financave, si dhe me përfaqësues të kompanive të naftës dhe ekspertë të BE-së.
Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme të të ardhurave shtetërore mbi këtë bazë, për të cilat paralajmëroi Ministria e Financave, me qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe ekonomisë, Qeveria vendosi të zbatojë masën maksimale të mundshme.
Në praktikë kjo do të thotë se çmimi i naftës, që përbën 86 për qind të konsumit total, në vend që të rritet me 31 cent, do të rritet vetëm me 4 centë.
Kështu, nga e marta çmimi i naftës do të jetë 1.54 euro në vend të 1.81 euro, ndërsa një litër benzinë do të kushtojë 1.51 euro në vend të 1.68 euro.
Me këto masa, qytetarët e Malit të Zi do të vazhdojnë të paguajnë karburante me çmime ndër më të favorshmet në Evropë.
Në këtë mënyrë është parandaluar jo vetëm rritja e çmimeve të karburanteve, por edhe e të gjitha produkteve të tjera, çmimi i të cilave varet nga derivatet e naftës.










