PLLENKOVIQ: BE-ja DUHET T’I KUSHTOJË MË SHUMË VËMENDJE MUNGESËS SË STABILITETIT NË BALLKAN

Foto: kallxo.me

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi”, tha Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.

“Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq për gazetarë.

Pllenkoviq i komentoi edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të mërkurën tha se Koracia dhe Shqipëria e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Sipas transmetuesit publik kroat, HRT, kryeministri kroat deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky është një memorandum për bashkëpunim të përbashkët, nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj që tani po kërkohen probleme diku tjetër, por në këtë tekst ato nuk ekzistojnë”, tha Pllenkoviq duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pllenkoviq nguli këmbë se ky memorandum ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe në shkëmbimin e përvojave.

SHARE