Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Banka Qendrore e Malit të Zi shënoi mbrëmë në mënyrë solemne fillimin e zbatimit të iniciativës WE Finance Code në Mal të Zi dhe prezantimin e gjeneratës së dytë të pjesëmarrësve të programit Women on Boards.
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, në fjalën e tij hyrëse, theksoi se Mali i Zi mund të jetë i fortë dhe i suksesshëm vetëm nëse përdor potencialin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe ekonomisë së tij dhe se asnjë ekonomi nuk mund të përballojë të neglizhojë një pjesë të madhe të popullsisë së saj në fusha kyçe si udhëheqja, inovacioni dhe vendimmarrja.
Guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Dr. Irena Radoviq, theksoi se barazia ekonomike gjinore nuk është vetëm çështje e përmbushjes së detyrimeve të para-anëtarësimit, por një faktor i rëndësishëm i rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Guvernatorja theksoi gjithashtu se zhvillime pozitive në përfshirjen e grave janë të pranishme në sektorin financiar malazez, ku përqindja e përfaqësimit të grave në strukturat drejtuese është rritur ndjeshëm.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në fjalën e tij përshëndetse ndër të tjera tha:
“Nëse duam një shoqëri demokratike dhe një të ardhme që sjell rritje dhe progres ekonomik, është e nevojshme që në vazhdimësi të krijohet një mjedis që do t’u mundësojë grave të ushtrojnë të drejtat e tyre, të kenë mundësi të avancojnë dhe më pas të demonstrojnë njohuritë dhe ekspertizën e tyre, si dhe potencialin menaxherial”.
Iniciativat WE Finance Code dhe Women on Boards, paraqesin një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të përfshirjes financiare dhe përfaqësimit udhëheqës të grave në Mal të Zi, duke kontribuar në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe ekonomikisht më të begatë, ishin konkluzionet e kësaj mbrëmjeje.