Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka vizituar sot komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e komunës, Genci Nimanbegu dhe përfaqësues të partive në Kuvendin e Komunës.
Në takim u diskutua mbi vizionin për zhvillimin e komunës së Ulqinit, interesin për investime, si dhe tenderin aktual për dhënien me qira të plazheve.
Kryeministri Spajiq tha se është koha që Mali i Zi të zhvillohet intensivisht dhe investitorët kryesorë botërorë të vijnë në Mal të Zi.
„Na takon neve të marrim vendime të zgjuara. Shumë herë në të kaluarën nuk ka qenë kështu. U kam përcjellë banorëve të Ulqinit një mesazh nga një prej investitorëve kryesorë në botë, kompanitë Emmar dhe Eagle Hills, se janë të interesuar t’u prezantojnë atyre një vizion për zhvillimin e Plazhit të Madh, dhe një projekt turistik që do të ishte lider i këtij lloji në Evropë”, tha kryeministri.
Kryeministri shpjegoi se pas skadimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2022, gjë që qeveritë e mëparshme nuk arritën ta bëjnë, qeveria do të rinovojë këtë lloj bashkëpunimi, dhe se ky dokument do të jetë bazë për projekte potenciale të mëdha zhvillimore në veri dhe jug të Malit të Zi.
“Me përfaqësues të partive në Kuvendin e Komunës së Ulqinit diskutuam për interesat e komunitetit lokal dhe të shtetit të Malit të Zi. Po ashtu, kam përcjellë një mesazh nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe investitori Mohammed Alabar për një projekt që do të diskutojmë në periudhën e ardhshme. Dëgjuam mendime, shqetësime dhe tema të ndryshme që lindin me çdo vizion madhështor. Çdo histori e madhe kërkon shumë punë dhe për këtë ne duhet të hyjmë në të me përpikëri dhe në partneritet me pushtetin vendor”, tha kryeministri Spajiq.
Me iniciativën e kryeministrit Spajiq, investitori ka marrë vendim që në lidhje me plazhet që ka marrë në tender, të cilat më parë u ishin dhënë me qira sipërmarrësve vendas, të njëtat t’iu jap atyre me atë çmim që kanë ofruar.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha se projekti potencial është një çështje e madhe dhe e rëndësishme për këtë komunë.
“Kjo nuk është një çështje që duhet anashkaluar, por diçka që duhet diskutuar dhe duhen marrë parasysh argumentet. Dua që kryeministri t’u përcjellë të gjithë investitorëve me të cilët është në kontakt se investitorët janë të mirëpritur këtu dhe në interes të komunitetit vendas. Ne kemi pasur një qëndrim të caktuar të Qeverisë me dekada dhe sapo ka ardhur kryeministri këtu ka treguar se do të punojë ndryshe”, tha Nimanbegu.
Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës së Ulqinit falënderuan kryeministrin për çiltërsinë dhe gatishmërinë që bashkërisht t’i shqyrtojmë projektet e mëdha zhvillimore në mënyrë që të merren parasysh të gjitha specifikat e komunitetit lokal.