Foto: Ilustrim
Kontrollet e rregullta dentare çdo gjashtë muaj janë mënyra më e mirë që qytetarët të sigurohen se dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve janë të shëndetshëm, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) me rastin e 20 Marsit – Ditës Botërore të Shëndetit Oral.
Instituti i Shëndetit Publik tha se kjo datë është një mundësi për të fuqizuar njerëzit që të sigurojnë shëndet të mirë oral dhe një cilësi më të mirë jete jo vetëm për veten e tyre, por edhe për familjen, miqtë, pacientët dhe komunitetet e tyre.
Siç kanë deklaruar ata, tema e fushatës së këtij viti është “Buzëqeshje e shëndetshme, mendje e shëndetshme”.
Instituti i Shëndetit Publik theksoi se një gojë e shëndetshme ka një ndikim pozitiv në mirëqenien fizike, mendore dhe sociale.
“Kjo ditë është gjithashtu një mundësi për t’i kujtuar qytetarëve se kontrolli i rregullt i dhëmbëve çdo gjashtë muaj është mënyra më e mirë për t’u siguruar që mishrat dhe dhëmbët e tyre janë të shëndetshëm”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas tyre, kontrollet gjashtëmujore i mundësojnë dentistit të diagnostikojë çdo problem në zgavrën e gojës dhe të marrë masa parandaluese që do të parandalonin zhvillimin e sëmundjeve orale.