KQZ-ja NUMËRON VOTAT E TË GJITHA VENDVOTIMEVE

Foto: Bota Sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar të enjten rezultatin preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.

Megjithatë, në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet – ka dalë e para me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.

Partitë tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.

Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri më 19 shkurt janë numëruar 90.41 për qind e votave për kandidatët për deputetë, apo 2.990 qendra votimi nga gjithsej 2.533 të tilla.

“Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në shtatë komuna tjera: Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.

SHARE