Përveç lidhjeve të gjata historike dhe miqësisë, Mali i Zi dhe Bullgaria janë të lidhura së bashku me aleancën e sotme dhe besojmë se së shpejti me një të ardhme të përbashkët evropiane, tha presidenti Millo Gjukanoviq gjatë vizitës së tij zyrtare në atë vend.
Ai tha se vizita e sotme është vazhdimësi e dialogut të shpeshtë politik mes dy vendeve mike.
Gjukanoviq tha se përmes bisedës së sotme kanë identifikuar mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, në sektorë shumë specifikë.
“Besoj se nga konkluzionet e bisedës sonë të sotme do të kemi stimuj dhe impulse për të dy qeveritë, pavarësisht se jemi duke luftuar me stabilitetin e autoriteteve ekzekutive në të dy vendet vitet e fundit, por besoj se kjo do të jetë gjithashtu vetëm një periudhë kalimtare dhe ajo pas zgjedhjeve të planifikuara në Bullgari, dhe pres që së shpejti të caktojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Mal të Zi, kështu që edhe pas atyre zgjedhjeve do të kemi qeveri më të qëndrueshme që do të mund të punojnë seriozisht në disa impulse për zhvillimin afatgjatë të bashkëpunimit ekonomik si një bazë e rëndësishme për marrëdhëniet e përgjithshme ndërshtetërore mes dy vendeve tona”, tha Gjukanoviq.
Ai shton se bashkëpunimi i nxitur nga Mali i Zi dhe Bullgaria mund të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera në rajonin tonë që të fokusohen më mirë në interesat e tyre evropiane dhe të punojnë në mënyrë më dinamike dhe cilësore në reformat për të arritur qëllimet e tyre.