Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, iu drejtua këtë të martë, 20 janar, Parlamentit Europian, ku tha se blloku do të mbajë qëndrimin e tij për Groenlandën përballë kërcënimit të SHBA-ve për të marrë kontrollin e territorit arktik.
Në fjalimin e saj, Kallas pranoi rëndësinë strategjike në rritje të Groenlandës, e cila për shkak të vendndodhjes mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut është në një pozicion të mirë për sistemet e paralajmërimit të hershëm, për shembull, në rast të një sulmi me raketa nga Rusia.
“Për tensionin gjeopolitik dhe konkurrencën gjeo-ekonomike në Arktik kërkohet që Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët, të përgjigjet”, tha ajo. “Përgjigja jonë duhet të jetë realiste dhe parimore, dhe duhet të udhëhiqet nga e drejta ndërkombëtare”.
“Asnjë vend nuk ka të drejtë të marrë territorin e një tjetri. Jo në Ukrainë, jo në Groenlandë, jo askund në botë”, tha Kallas.
Ajo shtoi se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, i nisur në shkurt 2022, ka ndryshuar në mënyrë themelore peizazhin e sigurisë europiane, me Rusinë që “intensifikon aktivitetet hibride ndërsa militarizon pjesë të rajonit”.
Kallas tha se po punohet për të përditësuar politikën arktike të BE-së për të pasqyruar situatën e re të sigurisë. “Siguria nuk ka të bëjë vetëm me praninë ushtarake. Ka të bëjë me besimin, me stabilitetin, me njerëzit.”
Ajo shtoi se kërcënimi i Trump për të vendosur tarifa ndaj tetë vendeve (Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar) që kundërshtuan presidentin amerikan për Groenlandën minon mirëqenien e BE-së dhe të Amerikës.







