GORÇEVIQ: NËSE PËRFUNDOJNË PROCEDURAT, KAPITULLI I RI MUND TË MBYLLET JAVËN TJETËR

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, njoftoi për TVMZ se nëse gjatë kësaj jave përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme, javën tjetër mund të presim një konferencë tjetër ndërqeveritare ku do të mbyllet edhe një kapitull negociues.

“Bëhet fjalë për kapitullin që drejtohej nga Ministria e Financave – kapitulli 32, përkatësisht Mbikëqyrja Financiare, i cili, në të vërtetë, ishte gati vitin e kaluar, por, siç e dini, procedurat që ka Komisioni Evropian, por edhe shtetet anëtare në vendet e tyre, kërkojnë kohë shtesë”, tha ministrja Gorçeviq.

Ajo theksoi se delegacioni malazez pati sot një seri takimesh me përfaqësues të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit dhe detyrimet që kemi për dy kapitujt kyç, kapitujt 23 dhe 24.

“Ajo që vërtet është siguruar nga pala malazeze është se do të përmbushim të gjitha detyrimet e nevojshme që priten në këtë rrugëtim, ndërsa nga ana tjetër, Komisioni Evropian pret një luftë më të fortë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimin e pikave kufitare dhe, në fund të fundit, fuqizimin e sistemit tonë gjyqësor”, tha Gorçeviq.

Siç theksoi ajo, gjithçka që është bërë gjatë vitit të kaluar është njohur nga Komisioni Evropian.

“Por ajo që pritet nga ne është përpjekje edhe më e madhe dhe më e fuqishme në mënyrë që të bëhemi anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. Megjithatë, ajo që më gëzoi veçanërisht sot gjatë takimeve me përfaqësuesit e Komisionit Evropian është informacioni shtesë se, nëse gjatë kësaj jave përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme, javën tjetër mund të presim një konferencë tjetër ndërqeveritare ku do të mbyllet një kapitull tjetër negociues. Bëhet fjalë për kapitullin që drejtohej nga Ministria e Financave – kapitulli 32, Mbikëqyrja Financiare, i cili ishte gati vitin e kaluar, por procedurat që ka Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare kërkojnë kohë shtesë”, shtoi Gorçeviq.

Ajo theksoi se ky është një stimul shtesë për Malin e Zi dhe administratën tonë.

“Por, në fund të fundit, kjo është edhe vazhdimi i rezultateve që kemi pasur në muajin dhjetor kur mbyllëm pesë kapituj negociues, në mënyrë që edhe fillimi i vitit 2026 të jetë në frymën e integrimeve evropiane, dhe të mbyllim të gjitha kapitujt negociues deri në fund të këtij viti”, përfundoi Gorçeviq.

SHARE