BE PËRGATIT PAKETËN E KUNDËRMASAVE NDAJ SHBA-ve

Komisioni Evropian ka në dispozicion kundërmasa në rast se administrata amerikane zbaton kërcënimet e saj për vendosjen e tarifave shtesë ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, duke theksuar se institucionet evropiane mbeten të përmbajtura.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është i përgatitur të mbrojë interesat e veta ekonomike, por synon të shmangë përshkallëzimin e tensioneve dhe t’u japë përparësi dialogut dhe konsultimeve, e jo eskalimit.

Megjithatë, Bashkimi Evropian po përgatitet edhe për kundërmasa të mundshme, në rast se zbatohet kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj tetë shteteve të kontinentit evropian.

Nëse diplomacia dështon, BE-ja mund të riaktivizojë një paketë kundër-tarifash në vlerë prej 93 miliardë eurosh, e cila përfshin produkte industriale dhe bujqësore amerikane.

Kjo paketë u përgatit pranverën e kaluar, pas shpalljes së tarifave gjithëpërfshirëse nga presidenti amerikan, por u pezullua përkohësisht pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Komisioni Evropian konfirmoi se pezullimi i kësaj pakete skadon automatikisht më 6 shkurt, çka do të thotë se kundër-tarifat mund të hyjnë në fuqi të nesërmen, nëse nuk merret një vendim për zgjatjen e tij.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë të shantazhohen dhe se Bashkimi Evropian ka një gamë të gjerë opsionesh për t’iu përgjigjur kërcënimeve amerikane.

Aktualisht po zhvillohen konsultime intensive mes shteteve anëtare, në prag të samitit të jashtëzakonshëm të 22 janarit, të thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa. Qëllimi i këtij samiti është gjetja e një qëndrimi të unifikuar të BE-së ndaj tarifave të SHBA-së.

SHARE