TETË TË VDEKUR NGA ZJARRI NË NJË SHTËPI TË PLEQVE NË SERBI

Foto: AA

Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar të hënën si pasojë e zjarrit në një shtëpi të pleqve në periferi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd, njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë.

Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të hënën në komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se janë arrestuar tre persona si të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Tre nga të lënduarit, të cilët janë trajtuar në Qendrën Emergjente, janë në gjendje të rëndë, njoftoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

Katër të tjerët janë pranuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë, i intubuar dhe me “shenja të rënda” të helmimit nga monoksidi i karbonit.

“Policia, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, vijon punën intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe fakteve të kësaj ngjarjeje”, tha Ministria.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, u shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve nga zjarri dhe të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë, njofton Qeveria serbe.

Ai bërë të ditur se, në seancën e nesërme, Qeveria do të marrë vendim për ta shpallur të mërkurën ditë zie në vend.

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se 13 njerëz janë evakuuar nga ndërtesa si pasojë e zjarrit.

Staroviq tha për RTS-në se, sipas të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.

Ai shtoi se shtëpia e pleqve ka licencë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Ai tha gjithashtu se për të evakuuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.

Luka Qaushiq, ushtrues detyre i shefit të Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpi ndodhshin 30 njerëz.

Një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

“Ata janë ende duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim”, tha Qaushiq.

Ai shtoi se shtëpia e pleqve ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve u është ofruar ndihmë sa më parë.

Barajeva është një nga 17 komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së kryeqytetit.

SHARE