SPAJIQ: KËRKOJ NGA OPOZITA TË NDALOJË BLLOKIMIN E PROCESEVE TË RËNDËSISHME PËR TË GJITHË QYTETARËT E MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq i bëri thirrje opozitës parlamentare që të ndalojë bllokimin e proceseve të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

“Me refuzimin e propozimit të BE-së për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias dhe duke bojkotuar fjalimin e komisioneres Kos në Parlament, opozita nuk po kontribuon në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi. Përkundrazi”, ka shkruar Spajiq në një postim në rrjetin X.

Ai thotë se dëshiron një opozitë që do të jetë pjesë e agjendës evropiane të vendit dhe, siç thotë ai, na vjen keq që nuk e shohim këtë tani.

“Ne gjithashtu pranojmë që instancat gjyqësore vendase të zgjidhin dilemën e tyre në lidhje me kushtetutshmërinë e përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Spajiq.

Nga ana tjetër, ai shton se Buxheti duhet të miratohet për hir të të ardhurave më të larta, investimeve, integrimeve evropiane, zhvillimit dhe jo për hir të pushtetit.

“I kërkoj edhe një herë opozitës të ndalojë bllokimin e proceseve të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, thuhet në postimin e Spajiqit.

SHARE