Foto: Instituti i Shëndetit Publik / Institut za javno zdravlje
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) regjistroi të premten rastin e tretë të fruthit në Mal të Zi që nga fillimi i vitit, njofton institucioni.
Prania e fruthit u konstatua tek një person njëzet e katër vjeçar me banim në Rozhajë, i shtruar në Qendrën Spitalore Klinike Berane, dhe siç njoftojnë nga Instituti, nuk dihet statusi i vaksinimit të të sëmurit.
“Ky është rasti i tretë i regjistruar këtë vit dhe gjithsej 38 në 11 muajt e fundit”, thuhet në deklaratë.
Që nga fillimi i vitit, përveç në Rozhajë, një rast me fruth është regjistruar edhe në Podgoricë dhe Bijello Pole.
Instituti i Shëndetit Publik tha se vazhdimisht u bën thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët pa vonesë dhe të mos i dërgojnë në tubime/bashkime fëmijët e pavaksinuar.
Ata paralajmëruan se rreziku i shpërthimit dhe përhapjes së fruthit rritet me rifillimin e orëve të rregullta në parashkollore dhe shkollë.
“Personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar kundër fruthit ose nuk kanë prova se e kanë pasur këtë sëmundje, këshillohen të shmangin vizitat në zonat me raste të regjistruara të sëmundjes brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete masive”, thuhet në deklaratë.