Foto: AA
OKB ka dërguar më shumë se 630 kamionë me ndihma humanitare në Rripin e Gazës, në zbatim të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Një ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjës, janë liruar tre pengjet e para nga Hamasi, ndërsa Izraeli ka lënë të lirë 90 të burgosur.
Lajmin për dërgimin e ndihmave humanitare e bëri me dije përmes një postimi në platformën e mediave sociale X, Tom Fletcher, nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare.
“Nuk ka kohë për të humbur. Pas 15 muajsh lufte të pamëshirshme, nevojat humanitare janë marramendëse”, shkroi ai në postim.
Ky është armëpushimi i dytë që kur ka nisur lufta. Mbi një vit më parë palët ndalën luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.
Marrëveshja e cila u ndërmjetësua javën e kaluar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, vjen 15 muaj pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023.
Rreth 1200 njerëz u vranë dhe 250 u morën peng.
Pas kësaj Izraeli u kundërpërgjigj me sulme, në një fushatë ushtarake që ka vrarë më shumë se 43 mijë palestinezë sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.