Foto: Telegrafi
NATO dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë burime në Kosovë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.
KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.
Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.
Ditë më parë, shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë shprehu edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të monitorohen po ashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar për një mision prej 100 vëzhguesish.
Nathalie Loiseau, anëtarja franceze e Parlamentit Evropian, do të udhëheqë misionin e bllokut evropian për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ky mision vë në pah “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të forcuar edhe më tej qeverisjen e saj demokratike”.
Ajo tha se votimet e 9 shkurtit do të tregojnë “pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës”.
Ky do të jetë misioni i shtatë vëzhgues i BE-së për zgjedhjet në Kosovë.
Fushata zgjedhore, e cila nisi më 11 janar, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë që e monitorojnë këtë proces, po karakterizohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.