QEVERIA FRANCEZE, SFIDUESE: NUK DËMTOHET EKONOMIA

Grevat e fundit që po mbahen në Francë për të kundërshtuar planet e Qeverisë për rritjen e moshës së daljes në pension, nuk mund të dëmtojnë ekonominë e vendit, tha ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire për televizionin Bloomberg. “Nuk mendoj se grevat do të kenë ndikim shumë të madh ekonomik në ekonominë franceze”, tha Le Maire në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar se ekonomia franceze është “duke ia dalë mirë”. Më shumë se një milion persona marshuan nëpër qytetet franceze të enjten për të kundërshtuar planet e presidentit Emmanuel Macron për reformat në sistemin e pensioneve. Sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për protesta të reja më 31 janar, por Qeveria nuk ka treguar shenja tërheqjeje. “Ne besojmë fuqishëm se kjo reformë është e nevojshme për Francën. Është mënyra më e mirë për të siguruar më shumë prosperitet për popullin francez”, tha ndërkohë ministri Le Maire. Megjithatë, ia shtoi se Qeveria do të ketë mendje “të hapur” për sa u përket diskutimeve për ndryshime të mundshme. Plani për reforma në pensione parashikon rritjen e moshës së daljes në pension nga 62, që është tani, në 64 vjeç. Reforma duhet të miratohet në Parlament, ku Macron ka humbur shumicën, por ai shpreson për miratim me mbështetjen e konservatorëve.

SHARE