KUVENDI DHE QEVERIA E MALIT TË ZI SYNOJNË MBYLLJEN E TË GJITHË KAPITUJVE TË INTEGRIMIT NË BE DERI NË FUND TË 2026

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Disa deputetë të pushtetit dhe opozitës në Kuvendin e Malit të Zi kanë paraqitur një Propozim-rezolutë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke e shpallur këtë si detyrën dhe qëllimin kryesor strategjik të politikës shtetërore.

Rezoluta thekson se statusi i anëtarit të plotë të BE-së do të sigurojë pavarësi, siguri, demokraci multietnike, sundim të ligjit dhe prosperitet ekonomik për qytetarët.

Kuvendi angazhohet për një përkushtim maksimal në procesin e integrimit, duke përfshirë bashkëpunimin institucional me qeverinë dhe presidentin, forcimin e diplomacisë parlamentare dhe krijimin e konsensusit shoqëror për integrimin evropian.

Dokumenti gjithashtu mbështet bashkëpunimin rajonal dhe promovimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje.

Procesi i integrimit ka arritur një fazë kyçe: më 16 dhjetor, Mali i Zi mbylli pesë kapituj në negociatat me BE-në, duke arritur gjithsej 12 kapituj të mbyllur nga 33.

Komesarja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, theksoi se Mali i Zi është tani lider në këtë proces dhe kandidat me rezultatet më të mira.

Kryeministri Millojko Spajiq e konsideroi këtë një sukses të madh dhe theksoi se vendi është në gjendje të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të 2026, duke u bërë një anëtar që nuk do të jetë barrë fiskale për qytetarët e BE-së.

Mali i Zi ka nisur negociatat për anëtarësim në BE që nga qershori i 2012.

SHARE