DUBAI NËN UJË, TË GJITHË NË SHTËPI / SHI I DENDUR NË SHKRETËTIRË, PARALAJMËROHEN BANORËT

Makinat lëvizin ngadalë në rrugët e përmbytura pas reshjeve të dendura të shiut në Dubai.

Policia e Dubait u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë, nëse nuk është “absolutisht e nevojshme”, pasi pritej shi i dendë në vendin në shkretëtirë, i cili pati reshje rekord vitin e kaluar.

Paralajmërimi erdhi disa orë pas reshjeve që shkaktuan përmbytje në rrugët e qytetit.

“Për sigurinë tuaj, ju lutemi të qëndroni të kujdesshëm, pasi priten kushte të paqëndrueshme të motit në orët në vijim, dhe shmangni daljen jashtë nëse nuk është absolutisht e nevojshme deri në mesditë,” thuhej në një alarm policor të dërguar në telefonat celularë të banorëve.

Qendra Kombëtare e Meteorologjisë në Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëroi për reshje shiu në të gjithë vendin nga e enjtja deri të premten, duke përfshirë Dubain dhe kryeqytetin Abu Dhabi.

Shtetet e tjera të Gjirit gjithashtu përjetuan reshje të dendura të enjten, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin.

Në prill të vitit të kaluar, reshjet rekord të shiut goditën Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përmbytur shtëpitë dhe duke shndërruar rrugët në lumenj.

Reshjet e dendura, të përkeqësuara nga mungesa e kanaleve të kullimit të ujërave, dëmtuan aeroportin e Dubait, qendrën më të ngarkuar në botë për pasagjerët ndërkombëtarë.

Stuhia më e madhe në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga fillimi i regjistrimeve, 76 vjet më parë, shkaktoi vdekjen e të paktën katër personave, përfshirë tre punëtorë filipinas dhe një qytetar nga Emiratet.

Një studim i publikuar nga grupi World Weather Attribution zbuloi se ngrohja globale e shkaktuar nga emetimet e karburanteve fosile “ka shumë të ngjarë” të ketë përkeqësuar reshjet intensive që goditën Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin vitin e kaluar.

SHARE