Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi është e gatshme për bisedime me përfaqësuesit e opozitës, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq, duke shtuar se nuk do të ishte mirë që të bojkotohej puna e Kuvendit.
“Kjo është e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë. Pse duhet të shqetësohen politikanët të vendosin nëse diçka është kushtetuese apo jo? Gjëja më e rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese të vendosë për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese është malazeze dhe e vetmja, dhe duhet mbrojnë interesat kombëtare. Të gjithë gjyqtarët e rinj që ne i delegojmë dhe për të cilët Lëvizja „Evropa Tani“ voton do të jenë profesionistë dhe kaq”, tha Spajiq për mediat.
Kryeministri thotë gjithashtu se nesër do të jetë në Orën e Kryeministrit, ndonëse opozita ka bërë të ditur se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk do të qaj shumë nëse nuk do të ketë orë të kryeministrit, do t’u dërgoj përgjigje qytetarëve si gjithmonë”, ka theksuar Spajiq.
Ai thekson se të gjithë duhet t’i drejtohemi të ardhmes evropiane dhe dialogut të qytetëruar. Nuk do të ishte mirë, që opozita të vazhdojë të bojkotojë Parlamentin.
Spajiq pret një takim të ardhshëm me Presidentin e Shtetit, Jakov Millatoviq.
“Kabinetet janë në kontakt për takim me presidentin, ne jemi përgjigjur pozitivisht dhe shpresojmë që takimi të bëhet sepse kemi edhe tema në lidhje me ambasadorë dhe Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe disa tema të tjera në kompetencë të presidentit dhe Qeverisë”, tha Spajiq.
Sa i përket takimit të tij me Millatoviqin, ai thotë se problem ka qenë vetëm koha.
“Ne kemi thirrur një herë tjetër dhe mezi presim të diskutojmë ato çështje ku kompetencat e Presidentit dhe Qeverisë së Malit të Zi mbivendosen. Ne e kemi propozuar takimin për nesër”, theksoi Spajiq, duke shtuar se një datë tjetër është gjithashtu një opsion për takimin me Millatoviqin.
„I lashë hapësirë që të propozojnë një datë dhe orë tjetër që u përshtatet”, tha kryeministri.