Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Sot u prezantuan rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, në një ngjarje të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Të dhënat e para përfundimtare përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike, derisa gjatë vitit 2025 do të publikohen edhe 25 raporte të tjera tematike.
Sipas të dhënave të prezantuara sot, numri total i popullsisë rezidente në Kosovë është 1,602,515, prej të cilës 50.2% janë meshkuj dhe 49.8% janë femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.8 vjet. Përbërja etnike e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2024 është si në vijim: 90.79% shqiptarë, 3.31% serbë, 1.69% boshnjakë, 1.21% turq, 1.01% ashkali, 0.66% egjiptianë, 0.57% goranë, 0.54% romë dhe 0.14 % të tjerë.
Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) u realizua nga 5 Prilli deri më 24 maj 2024. Publikimin e statistikave cilësore të sakta, të plota dhe të mbledhura me efikasitet në një kohë krejtësisht rekorde, kryeministri Kurti e cilësoi si vlerë shumë të madhe të realizuar plotësisht në format digjital.
“Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, kur është fjala për regjistrime, përbën një komponent shtesë, pasi që statistikat cilësore marrin kohë, e statistikat në kohë janë me vlerë shumë të madhe”, tha kryeministri në fjalën e tij.
Ai shtoi se këto të dhëna përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Republikës. Kësisoj, regjistrimi përveç se ofron mjetet për të bërë parashikime shumë më të sakta mbi rritjen e popullsisë, migracionin dhe sfidat që lidhen me ndryshimet demografike, kryeministri tha se ato na ndihmojnë të planifikojmë me saktësi në fushat jetësore si shëndetësia, arsimi, transporti e infrastruktura.
“Me këto të dhëna, ne mund të formulojmë strategji të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar që investimet tona të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata”.
Ndërkaq, në arenën ndërkombëtare ky regjistrim i cili ndjek standardet e Eurostat-it dhe të Kombeve të Bashkuara, forcon pozitën tonë si partner i besueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe global, duke krahasuar dhe harmonizuar të dhënat tona me ato të vendeve të tjera.
“Të dhënat e regjistrimit janë më shumë se numra, janë përtej të dhënave në formën e shifrave, meqenëse ato janë pasqyra e realitetit tonë, por njëkohësisht edhe busulla e cila na drejton drejt së ardhmes duke u bazuar në evidencë dhe fakte”, përmbylli kryeministri Kurti duke falënderuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës, stafin e angazhuar drejtpërdrejt, institucionet e tjera qendrore dhe lokale, organizatat ndërkombëtare si dhe qytetarët.