MILLATOVIQ: PRANIMI I MALIT TË ZI NË BE DO TË DËRGOJË NJË MESAZH TË QARTË SE REFORMAT JAPIN REZULTAT

Foto: Presidenti i Malit të Zi / Predsjednik Crne Gore

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq në Samitin e Liderëve BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel tha se pranimi i Malit të Zi në BE do të dërgojë një mesazh të qartë se reformat japin rezultat.

“Kam kënaqësinë të përfaqësoj Malin e Zi për herë të dytë në këtë Samit shumë të rëndësishëm. Siç e dini, Samiti po zhvillohet në fillim të një mandati të ri për institucionet evropiane. Mendoj se është një sinjal i rëndësishëm. Ne do të diskutojmë të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi është një vend udhëheqës, i vetmi vend që ka hapur deri më tani të gjithë kapitujt dhe ka mbyllur gjashtë”, thuhet në deklaratë.

Ai thotë se kanë vendosur një objektiv ambicioz, por të arritshëm, “të bëhemi shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028”.

“Ne besojmë se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të dërgojë një mesazh të qartë dhe të fortë për të gjitha vendet e tjera kandidate se procesi i zgjerimit është i gjallë dhe se reformat politike dhe ekonomike po japin rezultat. Mali i Zi, si pjesa tjetër e rajonit, është shumë i vetëdijshëm për angazhimin e Brukselit ndaj zgjerimit, i cili mund të shihet jo vetëm përmes organizimit të Samiteve si ky, por edhe përmes instrumenteve si Plani i Rritjes, i cili është i rëndësishëm sepse ai ndihmon vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë konvergjencën e tyre me standardet evropiane”, tha ai.

Ai tha se mbyllja e 3 kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian tregon se Mali i Zi ka kapacitet për të përparuar, por se reformat duhet të përshpejtohen për të arritur qëllimin e vendosur.

“Për tango duhen dy. Sinjali që vjen nga Bashkimi Evropian është i dukshëm kur bëhet fjalë për të ardhmen e Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që ne duhet të bëjmë edhe detyrat tona. Ka të bëjë me reformat. Në fund të fundit, gjithçka është në kuadrin e kritereve të Kopenhagës, zhvillimit të demokracisë, zhvillimit të institucioneve të pavarura. Ju e dini se gjithçka që bëj si President, e bëj në kontekstin e zhvillimit demokratik të Malit të Zi, i cili duhet të bëhet shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028”, tha Millatoviq.

SHARE