Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se në mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera.
“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe. Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varheyit.
Dy zyrtarët e lartë evropianë i bënë thirrje udhëheqjes politike serbe që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik.