MILLATOVIQ NË UASHINGTON ME RASTIN E 120-VJETORIT TË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE NDËRMJET MALIT TË ZI DHE SHBA-së

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të qëndrojë për vizitë pune në Uashington, ku do të marrë pjesë në pritjen solemne kushtuar shënimit të 120 viteve të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në organizim të Ambasadës së Malit të Zi në Uashington.

Gjatë vizitës, presidenti do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, si dhe me senatorë të njohur dhe anëtarë të Kongresit. Bisedimet do të fokusohen në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Mali i Zi–SHBA, me theks të veçantë në mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve amerikanë për proceset reformuese në vend.

Siç thuhet në njoftim, në agjendë do të jenë edhe çështje të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit bilateral – avancimi i sigurisë, forcimi i sundimit të ligjit, lidhjet ekonomike, si dhe përkushtimi i përbashkët ndaj stabilitetit rajonal dhe ruajtjes së unitetit transatlantik.

Gjatë vizitës, presidenti Millatoviq do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin Georgetown, një ndër universitetet më prestigjioze në SHBA, ku do të flasë për zhvillimin demokratik të Malit të Zi, zbatimin e reformave institucionale dhe vizionin për forcimin e proceseve demokratike.

“Kjo vizitë konfirmon rëndësinë e dialogut intensiv politik ndërmjet dy shteteve dhe angazhimin e presidentit Millatoviq për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me njërin prej partnerëve strategjikë më të rëndësishëm të Malit të Zi. Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara mbeten miq dhe aleatë të besueshëm. Duke shënuar 120 vjet marrëdhënie diplomatike, të dyja vendet riafirmojnë përkushtimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një partneriteti edhe më të fuqishëm në fushat me rëndësi strategjike për të dy vendet”, thuhet në njoftimin nga Kabineti i Presidentit.

SHARE