KONJUFCA NUK I SIGURON VOTAT E NEVOJSHME PËR KRYEMINISTËR, KOSOVA DREJT ZGJEDHJEVE TË REJA PARLAMENTARE

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dhënë mbështetjen e nevojshme mandatarit të dytë për formimin e qeverisë së re në Kosovë, Glauk Konjufca.

Pro Konjufca për kryeministër votuan vetëm 56 deputetë, 53 votuan kundër dhe katër abstenuan.

Konjufca, i mandatuari për formimin e qeverisë së re, para deputetëve paraprakisht përmendi disa nga arritjet e Kosovës në vitet e fundit dhe theksoi se pa një qeveri të re vendi e ka të sigurt vetëm thellimin e krizës aktuale.

Konjfuca tha se përmes themelimit të qeverisë së udhëhequr nga ai synohen disa gjëra bazike për shtetin, duke filluar nga synimi për kursimin e Kosovës nga “dy palë zgjedhje nacionale”.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja edhe në dhjetor, kush na garanton se do t’i shmangim ato edhe në mars. Nuk ka kurrfarë garancie. Nëse kjo ndodh, institucionet tona duhet të jenë gjithnjë të përgatitura, por për qytetarët tanë është rraskapitëse, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një sfidë që kurrë nuk e kanë provuar, është e paprecedentë, kurse për taksat e popullit edhe tetë milionë euro tjera të harxhuara pa arsye”, tha Konjufca.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë që t’i shmangë zgjedhjet e reja ka ndërmarrë disa veprime, përfshirë edhe ftesën për koalicion qeverisës për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), tentimin për formimin e komisioneve parlamentare për votimin e urgjencave kombëtare, si dhe tani me tentimin e dytë për formimin e qeverisë.

Nga partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Uran Ismaili e kundërshtoi formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Konjufca. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje po i ikë ballafaqimit në zgjedhje të reja me zgjatje të krizës.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti çdo mëngjes zgjohet në një botë që e ka krijuar vetë dhe në këtë botë ai sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë.

Abdixhiku tha se Kurti në vend që të merret me “ekonominë e vendit, izolimin ndërkombëtar dhe skandalet korruptive”, ai ka zgjedhur të ndërtojë përballje të shpikura me asnjë problem real të Kosovës.

Edhe nga partitë tjera, si Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), u deklaruan kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Grupi multietnik në përbërje prej tetë deputetëve i dha mbështetje mandatarit Konjufca për kryeministër, por vetëm me votat e tyre ishte i pamjaftueshëm emërimi i qeverisë së re.

Tani pritet që presidentja Vjosa Osmani në ditët në vijim të shpallë datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare të cilat, sipas kushtetutës, nuk duhet të mbahen më vonë se 45 ditë.

SHARE