Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka njoftuar se do t’i propozojë Qeverisë vendosjen e detyrimit për heqjen e pajisjeve Huawei dhe ZTE nga sistemet e komunikimit në Mal të Zi, duke theksuar se, si vend anëtar i NATO-s, Malit të Zi i takon të ndjekë standardet më të larta të sigurisë.
Gjeloshaj tha se ai mbështet qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me rreziqet serioze të sigurisë që paraqesin pajisjet e prodhuesve kinezë në sistemet kyçe të komunikimit.
„Si aleat i NATO-s, Mali i Zi duhet të ndjekë standardet më të larta euroatlantike të sigurisë,“ theksoi Gjeloshaj.
“Prandaj, me ndryshimet ligjore që kam iniciuar, kemi siguruar që Qeveria të ketë bazë të qartë ligjore për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e pajisjeve që rrezikojnë sigurinë kombëtare”, u shpreh ministri.
Në këtë frymë, ai tha se do t’i propozojë Qeverisë të detyrojë kompaninë One që të heqë nga përdorimi pajisjet Huawei dhe ZTE, si dhe që qendra e re shtetërore e të dhënave (Data Center) të mos pajiset me teknologji të këtyre prodhuesve apo të furnitorëve të tjerë me rrezik të lartë.
“Mali i Zi duhet të ndërtojë sisteme digjitale të sigurta, moderne dhe të besueshme, në bashkëpunim të plotë me partnerët e tij kyç: SHBA-në dhe aleancën e NATO-s”, theksoi Gjeloshaj.
Të rikujtojmë se, një nga tre kompanitë e telekomunikacionit në Mal të Zi përdor stacione bazë 5G të kompanisë kineze Huawei. Qendra e Forenzikës Digjitale, e themeluar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi, ka paralajmëruar se shteti, si anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të jetë i kujdesshëm në përdorimin e teknologjive kineze.










